Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka ngritur pretendime lidhur me një blerje të fundit të automjeteve të blinduara nga Policia e Kosovës.
Në një deklarim për Klan Kosova, ai tha se janë blerë shtatë xhipa të tillë, ku secili prej tyre, sipas tij, arrin vlerën rreth 540 mijë euro. Behrami pretendon se blerja nuk është realizuar përmes një operatori në Kosovë, por përmes një përfaqësuesi në Bullgari.
Sipas tij, një pjesë e këtyre automjeteve janë vënë në shërbim të institucioneve qeveritare. Ai përmendi edhe kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai kalon një pjesë të madhe të kohës në automjete të tilla të blinduara dhe të shtrenjta.
Behrami shtoi se mund të argumentohet se automjetet nuk janë blerë drejtpërdrejt nga Qeveria, por nga Policia për nevojat e saj, megjithatë ai këmbëngul se disa prej tyre përdoren nga zyrtarë të lartë shtetërorë.
Deri më tani, nuk ka pasur reagim zyrtar nga institucionet për këto pretendime.




