Koalicioni VLEN ka reaguar ndaj protestave të fundit të studentëve, duke i cilësuar ato si pasojë e dështimeve të akumuluara ndër vite në menaxhimin e çështjeve arsimore dhe gjuhësore.
Në reagim, VLEN thekson se pakënaqësia e studentëve është legjitime dhe duhet të trajtohet me seriozitet institucional. Sipas tyre, kjo situatë reflekton mungesën e zgjidhjeve nga ana e Bashkimit Demokratik për Integrim, e cila për një periudhë të gjatë ka qenë pjesë e pushtetit.
VLEN akuzon BDI-në se po përpiqet të përfitojë politikisht nga protesta, ndonëse, sipas tyre, kishte në dispozicion të gjitha mekanizmat për të zgjidhur çështjen më herët. Ata shtojnë se problemi i mosmundësisë për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është lënë pezull për vite me radhë.
Koalicioni deklaron se aktualisht po punohet për një zgjidhje të qëndrueshme ligjore dhe institucionale për këtë çështje, duke synuar trajtim të plotë dhe jo të përkohshëm.
Në fund, VLEN u bën thirrje aktorëve politikë që të mos e përdorin pakënaqësinë e studentëve për qëllime të përditshme politike, por të kontribuojnë në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë.




