Kryeministri i Izraeli, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se vendi i tij do të vazhdojë operacionet ushtarake me intensitet të plotë deri në eliminimin e kërcënimeve dhe përmbushjen e objektivave të luftës.
Deklarata e tij vjen pas raportimeve për vrasjen e dy zyrtarëve të lartë iranianë, të identifikuar si Majid Khadami, i lidhur me strukturat e inteligjencës së Gardës Revolucionare Islamike, dhe Athar Bakri, komandant në kuadër të Forcës Quds.
Në një postim në rrjetin social X, Netanyahu theksoi se Izraeli do të veprojë me vendosmëri ndaj çdo individi apo strukture që, sipas tij, përbën kërcënim për sigurinë e vendit.
Ai u shpreh se personat që planifikojnë apo drejtojnë sulme ndaj qytetarëve izraelitë do të përballen me pasoja, duke theksuar se veprimet ushtarake do të vazhdojnë kundër çdo përpjekjeje për të dëmtuar shtetin e Izraelit.




