Komisioni për Kulturë, Turizëm dhe Sport ka miratuar në parim Projektligjin nr.10/L-027 për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, me shtatë vota për dhe një abstenim.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se ligji përcakton rregullat, procedurat dhe përgjegjësitë e institucioneve për organizimin e ngjarjes, ndërsa qeveria do të ndajë fonde publike prej të paktën 253.4 milionë euro.
Gashi theksoi se ky projektligj është historik për Kosovën, duke fuqizuar infrastrukturën sportive, zhvillimin ekonomik dhe përfaqësimin ndërkombëtar të vendit, si dhe duke mbështetur sportin dhe të rinjtë.
Ai shtoi se Komiteti Olimpik i Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe komunat e tjera do të bashkëpunojnë për organizimin e edicionit të 21-të të Lojërave Mesdhetare.//sinjali//




