Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kërkon nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, që të kompletojë përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), çështje e lënë pezull nga ish-presidentja Vjosa Osmani.
Sipas Naim Jakajt nga IKD, anëtari i radhës i KQZ-së i takon Partisë Demokratike të Kosovës (PDK-së), dhe çdo veprim nga Haxhiu që favorizon Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) do të përbënte shkelje kushtetuese.
“Nuk duhej lënë që një anëtar të mos dekretohej nga ish-presidentja Osmani. Znj. Haxhiu ka dy kërkesa, nga LVV dhe PDK.
Në respekt të Kushtetutës dhe të parimeve të ligjit, ajo duhet të emërojë sa më parë një anëtar nga PDK-ja.
Edhe nëse vjen nga partia e saj, Haxhiu duhet të veprojë me paanshmëri dhe integritet. Kushtetuta kërkon një anëtar nga PDK-ja që rasti të mos shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Çdo nominim ose dekretim i një anëtari nga LVV do të ishte shkelje kushtetuese,” tha Jakaj për RTV21.




