Katër astronautët e misionit Artemis II të NASA-s janë në rrugë kthimi drejt Tokës pas një fluturimi historik pranë Hënës, duke arritur distancën më të madhe që njerëzit kanë udhëtuar ndonjëherë në hapësirë.
Gjatë fluturimit, ekuipazhi humbi kontaktin me Tokën për 40 minuta teksa kalonte pas anës së largët të Hënës. Pas rikthimit të komunikimit, astronautja Christina Koch tha: “Është kaq mirë të dëgjosh sërish Tokën.”
Anija Orion vendosi rekord duke kaluar kufirin prej 400 mijë kilometrash. Astronautët përjetuan një eklips të plotë diellor dhe vëzhguan nga afër sipërfaqen e panjohur të Hënës. Komandanti Reid Wiseman tha se ekuipazhi pa pamje të papara më parë, ndërsa një moment emocional ishte kërkesa për të emërtuar dy kratere: njëri në nder të kapsulës “Integrity” dhe tjetri në kujtim të bashkëshortes së tij të ndjerë.
Misioni konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të njerëzve në Hënë dhe përgatitjes për udhëtime të ardhshme drejt Marsit. Astronautët pritet së shpejti të përballen me fazën përfundimtare: rikthimin dhe uljen në Oqeanin Paqësor.




