Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, priti sot në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer.
Gjatë takimit, Zulfaj shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj Kosovës në etapa të ndryshme të shtet-ndërtimit, duke e cilësuar atë si një partner të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Palët diskutuan për progresin në zbatimin e Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformave, ndërsa Zulfaj theksoi përkushtimin e institucioneve për zbatim të qëndrueshëm dhe në përputhje me afatet e përcaktuara.
Ai nënvizoi se marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim mbeten ndër prioritetet kryesore të qeverisë, në përputhje me progresin e arritur dhe angazhimin për reforma të vazhdueshme.
Nga ana tjetër, ambasadori Schnetzer e përgëzoi Zulfaj për detyrën e re dhe rikonfirmoi mbështetjen e Austrisë për integrimin evropian të Kosovës.




