Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi, së bashku me anëtarët Visar Krasniqi dhe Margarita Gjocaj, zhvilloi një takim me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.
Gjatë takimit, Gashi e informoi ambasadorin për zgjedhjen e tij në krye të KPK-së dhe për përbërjen e re të institucionit.
Ai theksoi se prioritetet kryesore të Këshillit mbeten rritja e transparencës dhe llogaridhënies, forcimi i integritetit institucional dhe avancimi i sistemit prokurorial në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Gashi shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj institucioneve të drejtësisë në Kosovë, veçanërisht përmes projekteve të realizuara në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare.
Sipas tij, këto projekte kanë kontribuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe forcimin e integritetit të prokurorëve, përmes trajnimeve në fusha si hetimet penale, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.
Nga ana e tij, ambasadori Rudolph rikonfirmoi gatishmërinë e Gjermanisë për të vazhduar mbështetjen ndaj KPK-së dhe sistemit prokurorial, duke theksuar rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit institucional.
Palët diskutuan gjithashtu mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen, me fokus në projekte konkrete që synojnë rritjen e efikasitetit, transparencës dhe besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.




