Sot në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u zhvillua dita e parë e mbledhjes me anëtarët e redaksisë qendrore për projektin madhor “Enciklopedia shqiptare”.
Takimin e drejtoi kryeredaktori i veprës, akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, së bashku me zëvendëskryeredaktorin akad. Mehmet Kraja nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës.
Gjatë mbledhjes u trajtuan çështje të rëndësishme lidhur me ecurinë e mëtejshme të projektit, duke përfshirë udhëzuesin për statusin e artikujve, madhësitë e tyre për personalitetet dhe figurat historike, si dhe teknikalitetet redaksionale për përgatitjen e teksteve.
Çështja kryesore e takimit ishte miratimi i madhësive të artikujve monografikë dhe të mëdhenj, si dhe përcaktimi i madhësive përfundimtare të artikujve të mëdhenj dhe të mesëm për personalitetet dhe figurat historike.
“Në punimet e sotme u miratuan artikujt monografikë dhe artikujt e mëdhenj me natyrë monografike, si dhe u përcaktuan madhësitë përfundimtare të artikujve të mëdhenj dhe të mesëm për personalitetet dhe figurat historike,” njofton Akademia e Shkencave e Shqipërisë.




