Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj njoftimit të Presidencës së Kosovës për hapjen e profileve të reja zyrtare në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë si një çështje të parëndësishme përballë problemeve reale të qytetarëve.
Në një postim në Facebook, ajo kritikoi fokusin e institucioneve, duke thënë se menaxhimi i rrjeteve sociale nuk duhet të jetë prioriteti kryesor. Çitaku përmendi çmimet e larta të gjërave bazike, gjendjen e rënduar ekonomike dhe sociale, rrogat e ulëta dhe pensionet që nuk mbulojnë as shpenzimet më të nevojshme si shqetësime më urgjente për qytetarët.
“Punë e madhe është mafia energjetike, rrogat e ulëta dhe pensionet poshtëruese. Këto janë hallet reale të qytetarëve,” u shpreh ajo, duke theksuar se prioritet duhet t’u jepet problemeve konkrete që ndikojnë në jetën e përditshme.




