Me vetëm tri javë të mbetura deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, ende nuk shihet ndonjë lëvizje konkrete për një marrëveshje mbi një kandidat. Analistët politikë vlerësojnë se qasja aktuale e partive nuk siguron një zgjidhje të qëndrueshme.
Sadik Zeqiri, analist politik, tha se disa parti kërkojnë një kandidat ose një marrëveshje politike, ndërsa Partia Demokratike pret që kandidati t’i takojë vetëm asaj. “Nëse nuk arrihet dakordësi, pritet që zgjedhjet të mbahen më 7 qershor,” shtoi ai.
Dorajet Imeri theksoi se takimet mes kryeministrit Kurti dhe kryetarëve të LDK-së dhe PDK-së po vazhdojnë me taktizim politik, duke bërë të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje kreative për zgjedhjen e presidentit.
Analistët nënvizojnë se më shumë vëmendje po i kushtohet akuzave të ndërsjella sesa bashkëpunimit për të shmangur zgjedhjet e reja. Artan Muhaxhiri tha se kryeministri Kurti do të duhej të bënte kompromis për të parandaluar zgjedhjet e parakohshme, ndërsa opozita duhet të bashkëpunojë mes vete për të arritur një marrëveshje.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, afati i fundit për zgjedhjen e presidentit është 28 prilli. Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë një president deri në këtë datë, Kosova shkon drejt zgjedhjeve të reja.




