Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila, ka prezantuar në Komisionin për Ekonomi projekligjin për masat e përkohshme mbi produktet themelore, në raste të destabilizimit të tregut.
Sipas Kusari Lilës, qëllimi i këtij projektligji është të krijojë një kornizë ligjore të qartë për vendosjen e masave të përkohshme dhe proporcionale, duke mbrojtur konsumatorin dhe interesin publik.
Ligji parashikon gjithashtu një mekanizëm institucional të pavarur për menaxhimin e situatave që shkaktohen nga luhatjet e çmimeve.
“Gjatë hartimit kemi marrë parasysh rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjin paraprak, i cili kishte hasur në probleme kushtetuese.
Projektligji përcakton dy masa kryesore: caktimin e marzhës tregtare për shitje me shumicë dhe pakicë, dhe vendosjen e çmimit maksimal të lejuar nga operatorët ekonomikë”, tha Kusari Lila.
Për implementimin e këtyre masave do të krijohet një bord i pavarur, emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, i cili do të raportojë direkt për veprimet e tij. Projektligji përfshin edhe kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit, kompetencat dhe procedurat e vendimmarrjes.
Ministrja theksoi se ligji është hartuar në përputhje me prioritetet e qeverisë për mbrojtjen e konsumatorit dhe pjesë e agjendës legjislative të qeverisë për vitet 2026-2028. Në procesin e hartimit janë përfshirë edhe tryeza konsultative me odat ekonomike dhe shoqatat e operatorëve ekonomikë të lidhur me produktet bazë.




