Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka dërguar Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, një kërkesë zyrtare për procedimin e emërimit të anëtarit të dytë të partisë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas komunikatës për media, PDK thekson se çështja e përbërjes së KQZ-së ka mbetur e papërfunduar gjatë mandatit të ish-Presidentes Vjosa Osmani dhe se përfaqësimi me dy anëtarë është një e drejtë kushtetuese, jo një çështje interpretimi politik.
Në letrën drejtuar Haxhiut, PDK thekson rëndësinë e respektimit të praktikës institucionale, sipas së cilës partia ka pasur gjithmonë dy përfaqësues në KQZ, dhe nevojën për të ruajtur parimet e barazisë dhe balancës mes subjekteve politike.
Duke iu referuar nenit 139, paragrafi 4 të Kushtetutës së Kosovës, PDK argumenton se shpërndarja e vendeve në KQZ duhet të bazohet në përfaqësimin e grupeve parlamentare në Kuvend.
Me katër grupe parlamentare aktualisht, PDK konsideron se çdo grup duhet të ketë nga një përfaqësues në raundin e parë, ndërsa vendet e mbetura të ndahen proporcionalisht sipas madhësisë së grupeve.




