Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se subjekti i saj është i gatshëm të mbështesë një rezolutë për gjenocidin, por ka theksuar se përmbajtja e saj duhet të dakordohet mes të gjitha grupeve parlamentare për të siguruar unitet politik dhe institucional.
Ajo bëri të ditur se LVV nuk ka kundërshtime ndaj një rezolute që adreson gjenocidin, duke theksuar rëndësinë që çështje të tilla të trajtohen në mënyrë të përbashkët dhe jo të njëanshme.
“Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë në një rezolutë të përbashkët. Kemi kërkuar që të dakordohemi për përmbajtjen me të gjitha grupet parlamentare. Nuk kemi asnjë problem me një rezolutë që adreson gjenocidin dhe trajtimin institucional të masakrave, por këto tema duhet të reflektojnë unitet dhe jo qasje parciale”, tha Nagavci.
Sa i përket përfaqësimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ajo theksoi se vendi i anëtarit të paemëruar i takon Lëvizjes Vetëvendosje, bazuar në legjislacionin në fuqi dhe rezultatin zgjedhor.
Nagavci shtoi se pret që ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ta emërojë sa më shpejt anëtarin e ri në KQZ, sipas propozimit të LVV-së. Në të kundërtën, ajo paralajmëroi se kjo çështje mund të adresohet më tej nga subjekti i saj.




