Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se mungesa e dakordimit ndërmjet grupeve parlamentare ka bërë që të mos miratohet rendi i ditës për seancën e ardhshme plenare.
Pas mbledhjes së Kryesisë, Haxhiu theksoi se Kuvendi duhet të funksionojë me efikasitet, sidomos për shkak të afatit kushtetues që lidhet me zgjedhjen e presidentit.
Ajo bëri të ditur se në rend dite ishin paraparë edhe katër marrëveshje ndërkombëtare, të cilat nuk u ratifikuan në seancën e kaluar për shkak të mungesës së kuorumit.
Sipas saj, mospajtimet kryesore lidhen me propozim-rezolutën e PDK-së për mbrojtjen e vlerave historike të luftës në Kosovë 1998–1999, për të cilën pati debat nëse duhet të jetë pika e parë apo e fundit e rendit të ditës.
Haxhiu tha se kishte propozuar një zgjidhje kompromisi, që rezoluta të shqyrtohej sapo grupi punues të përfundonte punën, pavarësisht renditjes në agjendë, por kjo nuk u pranua nga palët.
“Nuk pati dakordim. Unë bëra përpjekje maksimale për të arritur konsensus, por pati qëndrime të kundërta – PDK-ja insistonte që rezoluta të jetë pika e parë, ndërsa Vetëvendosje që ajo të vendoset në fund të rendit të ditës”, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se në rast të një mirëkuptimi më të madh, kjo çështje do të mund të zgjidhej dhe rezoluta të miratohej në seancën e ardhshme.




