Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit nuk është arritur konsensus për rendin e ditës, duke bërë që ai të procedohet për votim në seancë plenare.
Ajo theksoi se mungesa e kompromisit dhe fleksibilitetit, veçanërisht nga grupi më i madh parlamentar, ka ndikuar në këtë situatë, ndonëse sipas saj LDK-ja ka qenë e gatshme të mbështesë rezolutën dhe të tregojë fleksibilitet për renditjen e pikave.
“Është për keqardhje që nuk u arrit një kompromis. Kishte mungesë fleksibiliteti për një çështje që lidhet vetëm me renditjen e pikave, ndërkohë që ne ishim të gatshëm të japim mbështetjen tonë për rezolutën”, tha Lushaku-Sadriu.
Ajo bëri thirrje për intensifikim të diskutimeve mes partive politike, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për funksionimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit të vendit.
Sipas saj, në mungesë të një marrëveshjeje politike, ekziston rreziku që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.




