Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk ka arritur të dakordohet për rendin e ditës së seancës së së premtes, për shkak të mospajtimeve rreth përfshirjes së një rezolute të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Nënkryetarja e Kuvendit nga PDK, Vlora Çitaku, deklaroi se rezoluta për mbrojtjen e së kaluarës historike dhe trajtimin e viktimave të luftës nuk duhet të trajtohet si çështje politike, duke bërë thirrje për unitet ndërmjet deputetëve.
Ajo theksoi se kjo iniciativë synon një tekst të përbashkët dhe konsensual, duke shtuar se përfaqësuesit e PDK-së do të angazhohen për të kontaktuar grupet parlamentare në mënyrë që rezoluta të miratohet me unanimitet.
“Kujtesa nuk është vetëm e kaluara, por identiteti dhe themeli mbi të cilin ndërtohet shteti. Synimi ynë është që kjo çështje të trajtohet me seriozitet dhe të votohet në mënyrë të përbashkët”, tha Çitaku.
Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, akuzoi për mungesë vullneti politik nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se kjo ka penguar përfshirjen e rezolutës si pikë e parë e rendit të ditës.




