Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se procesi i emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) duhej të përfundonte gjatë mandatit të ish-presidentes Vjosa Osmani.
Haxhiu vlerësoi se nuk është e drejtë që një çështje e nisur më herët të mbetet e papërfunduar dhe theksoi se Kuvendi do t’i trajtojë të gjitha çështjet me prioritet pasi të ketë përfunduar analiza e dokumenteve dhe aktvendimeve relevante.
Sa i përket mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Haxhiu tha se pikat e propozuara për rendin e ditës të seancës së së premtes nuk u miratuan.
Arsyetimi është se nuk u arrit dakordim për vendosjen e rezolutës së PDK-së mbi mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë si pika e parë ose e fundit e rendit të ditës.
“Propozova që kurdo që kjo pikë të jetë e gatshme, të trajtohet në Kuvend pa qenë e përcaktuar paraprakisht si pikë e rendit të ditës, por ky propozim nuk u mbështet. Përpjekjet për të gjetur konsensus nuk dhanë rezultat,” tha Haxhiu.




