Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, priti në takim deputetin e komunitetit rom në Kosovë, Erxhan Galushi, së bashku me delegacionin e tij.
Me këtë rast, kryetarja Haxhiu shprehu respektin dhe mirënjohjen për komunitetin rom, duke vlerësuar lart trashëgiminë e pasur kulturore dhe kontributin e çmuar që ky komunitet jep për Republikën e Kosovës.
Ajo ritheksoi përkushtimin institucional për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit rom, luftimin e çdo forme të diskriminimit dhe avancimin e politikave që garantojnë qasje të barabartë në arsim, punësim, shëndetësi dhe shërbime publike.
Kryetarja Haxhiu theksoi se për një komunitet që i jep kaq shumë Kosovës, angazhimi për barazi, dinjitet dhe përfshirje të plotë mbetet i palëkundur.




