Shefi i Misionit të UNMIK, Peter Due, gjatë prezantimit të raportit gjashtëmujor në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka kërkuar që autorët e sulmeve në Banjskë dhe në Ibër-Lepenc të mbahen përgjegjës.
Në fjalën e tij, Due theksoi se Organizata e Kombeve të Bashkuara është e gatshme të bashkëpunojë me Prishtinën dhe Beogradin për të siguruar drejtësi dhe llogaridhënie për këto raste.
Ai vlerësoi gjithashtu zhvillimet politike në Kosovë, duke përmendur zgjedhjet e dhjetorit dhe sfidat e fundit në procesin institucional, veçanërisht lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri.
“Shpresojmë që dallimet politike të kapërcehen, të zgjidhet një president i ri dhe të shmangen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kjo do të ndihmonte që institucionet të fokusohen në interesin publik dhe nevojat e qytetarëve,” deklaroi Due.
Duke folur për veriun e Kosovës, ai e cilësoi rikthimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe si një hap të rëndësishëm drejt ri-angazhimit institucional, ndonëse procesi ka hasur vështirësi.
Sipas tij, sfidat përfshijnë dorëzime të pjesshme të detyrës, boshllëqe administrative dhe barriera gjuhësore, të cilat kërkojnë adresim të vazhdueshëm.
Due nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, si dhe nevojën për të avancuar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai bëri thirrje që të zbatohet marrëveshjet ekzistuese, përfshirë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe shprehu shpresën për një takim të afërt ndërmjet Aleksandar Vučić dhe Albin Kurti.
Në fund, Due vlerësoi zgjidhjen e arritur për çështjen e Ligjit për të huajt dhe bëri thirrje për ruajtjen e pavarësisë së mediave.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e zbatimit të ligjeve për gjuhët dhe emërimin e Komisionerit për Gjuhët, si element kyç për garantimin e të drejtave dhe përfshirjes së të gjitha komuniteteve në Kosovë./sinjali/




