Përfaqësuesi i Francës në Kombet e Bashkuara, Jérôme Bonnafont, ka deklaruar se është e papranueshme që, gati dy vite e gjysmë pas sulmit në Banjskë, autorët ende të jenë në liri.
Ai theksoi se përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe të japin llogari për veprimet e tyre.
“Gati 2 vjet e gjysmë pas aktit të Banjskës, është e papranueshme që ata që janë përgjegjës të jenë në liri. Ata duhet të vihen para drejtësisë dhe të japin llogari,” u shpreh ai.
Bonnafont shtoi se Franca vazhdon të mbështesë përpjekjet e UNMIK, në koordinim me KFOR dhe misionin e EULEX. Sipas tij, mandati i UNMIK-ut mbetet i lidhur ngushtë me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai vlerësoi gjithashtu zhvillimin e zgjedhjeve të fundit lokale, duke theksuar se Franca i “duartroket” mënyrës se si ato janë organizuar.
Në fund, ai bëri thirrje për vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të Dialogut të Brukselit.




