Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kërkuar që Rezoluta për Mbrojtjen e Viktimave të Luftës të trajtohet si pikë e parë e rendit të ditës në Kuvend, menjëherë pas pyetjeve parlamentare.
Ajo theksoi rëndësinë e kësaj rezolute, duke e cilësuar atë si një reflektim institucional dhe deklarim publik për të vërtetën historike të luftës në Kosovë gjatë viteve 1998–1999.
Çitaku falënderoi të gjitha grupet parlamentare për kontributin në hartimin e dokumentit, duke theksuar se tashmë është arritur dakordim për përmbajtjen e tij.
Megjithatë, ajo insistoi që rezoluta të ketë përparësi në trajtim, duke shtuar se nuk beson që Kuvendi ka ndonjë çështje më të rëndësishme për momentin.
Ajo gjithashtu kritikoi mënyrën e organizimit të punimeve në Kuvend, duke përmendur se për herë të parë po mbahet një seancë pa rend të ditës, gjë që sipas saj reflekton gjendjen e kulturës politike në vend.




