Në Kuvendin e Kosovës nuk është arritur dakordim ndërmjet grupeve parlamentare lidhur me renditjen në agjendë të rezolutës së propozuar nga PDK për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999.
Megjithëse ekziston pajtim për përmbajtjen e rezolutës, partitë kanë shfaqur qëndrime të ndryshme për vendosjen e saj si pikë e parë e rendit të ditës. Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kundër këtij propozimi, ndërsa partitë opozitare e kanë mbështetur.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaroi se është arritur dakordim për tekstin e rezolutës nga të gjitha grupet parlamentare, por kërkoi që ajo të trajtohet si pika e parë e seancës, duke theksuar rëndësinë e miratimit të saj në mënyrë unanime.
Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se e mbështesin rezolutën, por kërkoi që ajo të shqyrtohet sipas rendit të paraparë dhe të votohet pasi të ketë dakordim final.
Ndërkohë, shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, propozoi që një rezolutë e kësaj partie të trajtohet para marrëveshjeve ndërkombëtare, duke e lidhur atë me çështje ekonomike si rritja e çmimeve.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, mbështeti kërkesën e PDK-së që rezoluta të vendoset si pikë e parë e rendit të ditës.
Nagavci theksoi se LVV-ja është e gatshme t’i votojë të dyja rezolutat, ndërsa Çitaku shtoi se PDK do të mbështesë edhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Pas diskutimeve, shefat e grupeve parlamentare janë tërhequr për konsultime të mëtejshme, në përpjekje për të arritur një kompromis.




