Kuvendi i Kosovës është përfshirë nga mospajtime ndërmjet grupeve parlamentare lidhur me procedimin e projektligjeve të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilat opozita po i kundërshton.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deklaroi se kjo parti nuk do t’i mbështesë projektligjet, duke i cilësuar ato si pjesë e një agjende elektorale dhe jo si çështje me urgjencë reale.
Në të njëjtën linjë, shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se projektligjet janë miratuar vetëm një javë më parë dhe kërkojnë shqyrtim më të thellë, duke theksuar se nuk ka arsye për procedim të përshpejtuar.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ngriti shqetësime për mbarëvajtjen e seancave plenare. Ai kritikoi vonesat në nisjen e tyre dhe shmangien e procedurave të dakorduara, duke kërkuar që praktika të tilla të mos përsëriten.
Opozita ka kërkuar tërheqjen e projektligjeve dhe respektimin e marrëveshjeve paraprake për rendin e ditës, ndërsa përplasjet mes palëve pritet të vazhdojnë edhe në seancat e ardhshme.




