Ish-presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se në Kosovë ekziston një shqetësim legjitim se Dhomat e Specializuara të Kosovës mund të shtrembërojnë kuptimin historik të luftës së viteve ’90.
Në një intervistë për FAZ, Thaçi ka theksuar se të ashtuquajturat prova të fabrikuara gjatë regjimit të Slobodan Milošević nuk duhet të përdoren në gjykatë dhe as të trajtohen si fakte të mirëqena.
Ai ka vlerësuar se ngjarjet e viteve ’90 janë të dokumentuara mirë përmes raporteve ndërkombëtare dhe dokumenteve zyrtare, duke shtuar se përdorimi i provave të fabrikuara rrezikon të deformojë të vërtetën historike.
Thaçi gjithashtu ka theksuar se lufta në Kosovë ishte për mbijetesë dhe të drejtat themelore të popullit, duke paralajmëruar se proceset gjyqësore nuk duhet të shfrytëzohen për rishkrim të historisë.




