Nga paraburgimi, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ku ka folur për të ardhmen e tij dhe zhvillimet politike në vend.
Thaçi ka bërë të ditur se e konsideron të përfunduar garën e tij politike, por jo edhe angazhimin publik. “Si qytetar i lirë do të vazhdoj t’i shërbej vendit”, është shprehur ai, duke falënderuar qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen ndër vite.
Në intervistë, ai ka trajtuar edhe luftën e viteve 1998–1999, duke theksuar se nuk duhet të barazohen veprimet individuale me ato të forcave serbe gjatë regjimit të Slobodan Milošević.
Sipas tij, ekziston rreziku i shtrembërimit të historisë, ndërsa ka nënvizuar se lufta e Kosovës ishte një përpjekje për mbijetesë dhe liri.
Duke folur për ndërhyrjen e NATO në vitin 1999, Thaçi e ka cilësuar atë si të drejtë dhe të bazuar në vlera perëndimore, duke shtuar se pa këtë ndërhyrje dhe rezistencën e popullit, Kosova nuk do të ekzistonte sot.
Në aspektin politik, ai ka theksuar se një marrëveshje e qëndrueshme me Serbinë duhet të bazohet në njohje reciproke dhe dialog. Për situatën aktuale në vend, Thaçi ka bërë thirrje që interesat e qytetarëve të vendosen mbi ato partiake.




