Rastet e humbjeve të jetës në vendin e punës vazhdojnë të mbeten shqetësuese në Kosovë, duke ngritur alarmin për mungesën e kushteve të duhura të sigurisë për punëtorët.
Vetëm nga janari deri në prill të këtij viti janë regjistruar disa raste fatale që lidhen drejtpërdrejt me vendin e punës. Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Teknikë dhe të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur për Klankosova.tv se numri i viktimave ka arritur në shtatë.
Sipas tij, kjo situatë tregon qartë se standardet e sigurisë në punë nuk po respektohen në nivelin e duhur nga kompanitë.
Ai theksoi se përgjegjësia kryesore bie mbi pronarët e kompanive, të cilët duhet të sigurojnë kushte të sigurta për punëtorët, në përputhje me ligjet në fuqi për sigurinë dhe shëndetin në punë.
“Janë shtatë persona. Pronarët e kompanive duhet ta zbatojnë ligjin për sigurinë dhe shëndetin në punë”, u shpreh Azemi.
Ai kërkoi gjithashtu angazhim më të madh nga institucionet përgjegjëse, duke vënë theksin te roli i Inspektoratit të Punës, i cili sipas tij duhet të jetë më rigoroz në mbikëqyrje dhe të mos tolerojë shkeljet që rrezikojnë jetën e punëtorëve.
“Inspektorati duhet ta kryejë punën e vet dhe të mos bëjë lëshime”, shtoi ai.
Rasti më i fundit është regjistruar në Ferizaj, ku një person humbi jetën pasi dyshohet se ra nga kati i shtatë i një objekti në ndërtim.
Me këtë rast, numri i viktimave në vendin e punës gjatë katër muajve të parë të këtij viti ka arritur në shtatë, duke rritur shqetësimet për sigurinë në punë në vend.




