Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar pas numrit të vetëvrasjeve në Kosovë duke ngritur shqetësim.
KMDLNj në një reagim për media tha se brenda 48 orëve humbën jetën gjashtë persona në rrethana të dyshimta, dyshimet ishin se e kishin vrarë veten.
Brenda 48 orëve humbën jetën 6 persona në rrethana të dyshimta përkatësisht dyshimet ishin se e kishin vrarë veten, me armë zjarri apo duke u vetvarur. Përfundimisht shkaqet e vdekjes të cilësuara si të dyshimta e marrin vulën zyrtare vetëm pas rezultateve të autopsisë nga ekspertët e mjekësisë ligjore. – thuhet në reagim.
Sipas KMDLNj-së, situata e rënduar ekonomike, rritja e papunësisë, mungesa e trajtimit të rasteve të identifikuara me prirje për vetëvrasje, mungesa e solidaritetit të shoqërisë, mungesa apo pamjaftueshmëria e institucioneve të shtetit për të ndihmuar këto raste, humbja e shpresës, kostot e papërballueshme për bizneset dhe presioni i vazhdueshëm për rrezikshmëri nga lufta janë shkaktarët kryesorë për rritjen e numrit të vetëvrasjeve.




