Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Kina ka rënë dakord të mos furnizojë me armë Iranin, pas një komunikimi të drejtpërdrejtë me presidentin Xi Jinping.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump theksoi se kjo marrëveshje lidhet edhe me zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit, duke pretenduar se hapja e saj është në interes të tregtisë globale.
Ai shtoi se bashkëpunimi me Kinën po zhvillohet në mënyrë konstruktive, ndërsa theksoi se preferon zgjidhjet diplomatike ndaj përshkallëzimit të konfliktit, megjithëse paralajmëroi për gatishmëri ushtarake nëse është e nevojshme.
Nga ana tjetër, autoritetet kineze kanë reaguar ndaj situatës duke kritikuar veprimet e SHBA-së në rajon. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës e cilësoi të papërgjegjshme bllokadën detare amerikane ndaj porteve iraniane, duke paralajmëruar se ajo mund të ndikojë negativisht në stabilitetin dhe armëpushimin.
Po ashtu, Pekini ka hedhur poshtë raportimet se po planifikon të dërgojë sisteme të reja të mbrojtjes ajrore në Iran, duke i cilësuar ato si të pavërteta.




