Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë një vizitë pune në Romë dhe Barcelonë më 16 dhe 18 prill, në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare dhe forcimit të bashkëpunimit me partnerët evropianë.
Gjatë qëndrimit në Itali, Rama do të takohet me kryeministren Giorgia Meloni dhe ministrin e Mbrojtjes Guido Crosetto, ku pritet të diskutohen çështje të sigurisë dhe bashkëpunimit dypalësh. Takimi me Melonin pritet të mbahet në Pallatin Kryeministror rreth orës 15:00.
Në vijim të vizitës, Rama do të marrë pjesë, me ftesë të kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez, në mbledhjen e katërt të Samitit “Në Mbrojtje të Demokracisë”, që do të mbahet në Barcelonë.
Punimet e samitit do të fokusohen në temat “Institucionet dhe multilaterizmi” si dhe “Dezinformimi dhe teknologjia digjitale”, me theks të veçantë në rregullimin e mjedisit digjital, luftën kundër dezinformimit dhe forcimin e institucioneve demokratike.
Gjatë samitit, kryeministri Rama pritet të zhvillojë takime bilaterale edhe me Pedro Sánchez dhe me Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa.




