Një incident është shënuar në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, ku djali i një dëshmori ka tentuar të pengojë hyrjen e kryetarit të Komunës, Përparim Rama.
Ai ka deklaruar se veprimi i tij lidhet me pakënaqësinë për moszgjidhjen e një kërkese për një lokacion, ku kishte aplikuar për hapjen e një biznesi familjar. Sipas tij, projekti fillimisht ishte premtuar, por më pas ishte refuzuar nga institucionet komunale.
Ai ka shtuar se në të njëjtin lokacion, sipas tij, është dhënë leje për një person tjetër, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi te ai dhe familja e tij.
Duke folur për vizitat e zyrtarëve në varrezat e dëshmorëve, ai ka thënë se ato shpesh janë simbolike dhe pa rezultate konkrete për familjet e dëshmorëve.
Ai ka theksuar se pavarësisht situatës, nuk do të lejojë që të cenohet e drejta e tij për të nderuar varrin e babait të tij, duke shprehur mosbesim ndaj premtimeve të reja nga komuna.//EO//




