Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm, pasi Izraeli njoftoi për hapat e parë të operacionit për marrjen nën kontroll të Qytetit të Gazës.
“Është thelbësore të arrihet një armëpushim i menjëhershëm në Gazë”, tha Guterres, duke theksuar se kjo ishte e nevojshme “për të shmangur vdekjet dhe shkatërrimin që një operacion ushtarak kundër Qytetit të Gazës pashmangshëm do të shkaktonte”.
Një ditë më parë ushtria izraelite njoftoi për hapat e parë të operacionit për marrjen e Qytetit të Gazës, duke thirrur mijëra rezervistë, teksa Qeveria po e shqyrton një propozim të ri për armëpushim për të ndalur luftën pothuajse dyvjeçare kundër Hamasit.
Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke marrë peng 251 të tjerë.




