Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, dhe zëvendësguvernatori Dardan Fusha kanë marrë pjesë në një tryezë rajonale të organizuar nga Grupi i Bankës Botërore, me fokus në platformën “TIPS Clone” për pagesa të shpejta.
Në takim morën pjesë përfaqësues të bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor, Bankës së Italisë dhe Bankës Botërore, ku u diskutua progresi drejt zbatimit të sistemit dhe gatishmëria për integrim.
BQK ka prezantuar përgatitjet institucionale, teknike dhe rregullative për implementimin e platformës, e cila synon të rrisë shpejtësinë, sigurinë dhe efikasitetin e pagesave.
Sipas guvernatorit Ismaili, ky proces përbën hap të rëndësishëm drejt integrimit rajonal dhe afrimit me standardet evropiane, përfshirë edhe procesin e anëtarësimit në SEPA.
Ndërsa zëvendësguvernatori Fusha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për realizimin me sukses të sistemit të pagesave të shpejta në rajon.
Në fund, Banka Botërore rikonfirmoi mbështetjen e saj për modernizimin e sistemeve financiare në Ballkanin Perëndimor.




