Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e UÇK-së, Andin Hoti, ka mbajtur një fjalim emocional gjatë ceremonisë së rivarrimit të Sinan Dautit në Prekaz të Epërm, i cili ishte i zhdukur që nga viti 1999.
Hoti theksoi se Sinani nuk ishte pjesë e luftës, por vetëm një fëmijë rreth 9 vjeç, i cili u plagos gjatë sulmeve të forcave serbe në Drenicë dhe më pas ndërroi jetë si pasojë e plagëve.
Ai tha se familja e tij për gati 27 vite nuk kishte informacion për fatin e tij, deri në gjetjen e mbetjeve mortore në Suhodoll të Mitrovicës.
Sipas Hotit, rasti i Sinanit përfaqëson dhimbjen e shumë familjeve shqiptare dhe dëshmon krimet e rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Ai shtoi se institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë kanë kontribuar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, por theksoi se drejtësia për krimet e luftës ende nuk është vënë në vend.//EO//




