Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Arian Tahiri, ka kritikuar zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesës së Albin Kurtit për kohë shtesë për bisedime me partitë e tjera.
Tahiri ka deklaruar se situata e krijuar përbën, sipas tij, cenim të Kushtetutës dhe shmangie të përgjegjësisë institucionale.
Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje, bazuar në rezultatin zgjedhor, e ka të drejtën të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, por akuzoi këtë parti se po refuzon ta bëjë një gjë të tillë.
“Po shohim se refuzojnë me propozu emër, refuzojnë me e funksionalizu Kuvendin dhe preferojnë që në vazhdimësi me prodhu krizë politike”, tha Tahiri.
Sipas tij, qytetarët kanë votuar për institucione funksionale dhe qeverisje, ndërsa zvarritja e konstituimit po ndikon edhe në jetën e qytetarëve.
Tahiri theksoi se PDK-ja ka pasur, sipas tij, qasje konstruktive dhe gatishmëri për të kontribuar në zhbllokimin e situatës, duke marrë pjesë edhe në seancën e sotme të Kuvendit.




