Kroacia ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për marrëveshjen e sigurisë me Kosovën dhe Shqipërinë, duke i cilësuar ato si të pasakta dhe të qëllimshme.
Ministria kroate e Mbrojtjes ka sqaruar se marrëveshja nuk ka karakter ushtarak, por fokusohet në bashkëpunim teknik, shkëmbim përvojash dhe koordinim në fushën e mbrojtjes.
Sipas autoriteteve në Zagreb, qëllimi kryesor është forcimi i stabilitetit në rajon dhe mbështetja e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe Shqipërisë.
Ministri i Mbrojtjes, Ivan Anusiq, theksoi se shqetësimet e ngritura nga Serbia janë të pabazuara, duke kujtuar se ekziston edhe një marrëveshje më e gjerë mes Serbisë dhe Kroacisë e nënshkruar në vitin 2010.
Ndërkohë, edhe NATO ka bërë thirrje për përgjegjësi dhe maturi, teksa Kroacia ka riafirmuar se do të vazhdojë të ndjekë një politikë të pavarur dhe transparente në rajon.




