Gjatë kontrollit të një dërgese të paraqitur për inspektim në emër të një subjekti ekonomik, zyrtarët e Doganës së Kosovës në Prizren kanë evidentuar parregullsi në dokumentacion dhe në përmbajtjen e mallrave.
Pas harmonizimit të dokumenteve dhe ekzaminimit fizik të dërgesës, u konstatua deklarim i pasaktë në emërtimin dhe përshkrimin e mallrave, si dhe mospërputhje në origjinë dhe sasi. Këto parregullsi kanë rezultuar në dallim të vlerës së mallrave në rreth 29,000 euro.
Sipas Doganës së Kosovës, rasti trajtohet si kundërvajtje doganore në bazë të Kodit Doganor, për paraqitje të deklaratës me të dhëna të pasakta ose jo të plota.
Institucioni ka bërë të ditur se po vazhdon procedurat ligjore përkatëse, me qëllim garantimin e ligjshmërisë dhe konkurrencës së drejtë në treg.




