Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin e Tregtisë të Turqisë, Ömer Bolat, me të cilin ka diskutuar për forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Kurti ka vlerësuar marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Turqisë, duke falënderuar mbështetjen e vazhdueshme të Ankarasë. Ai ka theksuar se shkëmbimet tregtare janë rritur ndjeshëm në dekadën e fundit, veçanërisht pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë.
Në takim u diskutua edhe mundësia e zgjerimit të kësaj marrëveshjeje në sektorin e shërbimeve, përfshirë teknologjinë e informacionit, transportin, logjistikën dhe shërbimet financiare.
Po ashtu, u theksua rëndësia e organizimit të Forumit të dytë Ekonomik Kosovë–Turqi në Prishtinë, si dhe aktivizimi i Komitetit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar.
Sipas njoftimit, në takim është diskutuar edhe për projekte që synojnë rritjen e lidhjeve ekonomike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.




