Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale mes Kosovës dhe Belgjikës, së bashku me homologen belge Annelies Verlinden.
Sipas saj, marrëveshja synon rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit transnacional dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, përfshirë edhe krijimin e grupeve të përbashkëta hetimore.
Ajo theksoi se dokumenti përfshin dispozita për ngrirjen dhe konfiskimin e pasurisë, shkëmbimin e provave dhe informatave, si dhe marrjen e dëshmive përmes videokonferencës, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Marrëveshja po ashtu përcakton mekanizmat dhe procedurat e ndihmës juridike në çështjet penale, përfshirë kushtet dhe bazat për refuzim të kërkesave.
Gërvalla ka falënderuar ministren belge për bashkëpunimin dhe mikpritjen, duke theksuar rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.




