Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila kishte përmendur “reflektim” nga ana e saj dhe e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, lidhur me përdorimin e gjuhës në Kuvend.
Haxhiu kishte deklaruar se Musliu dhe Haradinaj “duken se kanë filluar me reflektu”, duke iu referuar një fjale të deputetes së PDK-së ku ishte përmendur edhe emri i Dejona Mihalit.
Në përgjigjen e saj, Musliu tha se qëndrimet e kryetares së Kuvendit janë të lexueshme dhe se nuk mund të bie në “kurthe” politike.
“Unë dhe zoti Haradinaj, ia kam thënë edhe zonjës Haxhiu në sallën e Kuvendit, pa mikrofon, por ajo më ka dëgjuar shumë mirë. E kemi dekoduar, sepse lexohet lehtë. Është zor me na shti në kurth mua apo zotin Haradinaj. Për mua, krahasimi me zotin Haradinaj është nder”, u shpreh Musliu.




