Kuvendi i Kosovës ka emëruar tre anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, me 57 vota për, katër kundër dhe një abstenim.
Anëtarët e rinj janë Driton Vela dhe Florim Gallopeni, me mandat katërvjeçar, si dhe Shkurtë Bajgora me mandat dyvjeçar.
Ministri i Arsimit, Hajrullah Çeku, sqaroi se përzgjedhja është bërë pas një thirrjeje publike dhe procesi vlerësimi nga një komision i përbërë nga përfaqësues të institucioneve arsimore, shkencore dhe shoqërisë civile. Sipas tij, nga 10 kandidatë të nominuar, tetë kanë plotësuar kriteret, ndërsa tre janë propozuar për emërim dhe miratuar nga Qeveria para se të dërgohen në Kuvend.
Megjithatë, opozita ka kundërshtuar procesin, duke e cilësuar si të përshpejtuar dhe të politizuar. Deputetë nga PDK dhe LDK kanë ngritur shqetësime për mungesë transparence, vlerësim të shpejtë të kandidatëve dhe rrezik për ndikim politik në një institucion që duhet të jetë i pavarur.
Pavarësisht kritikave, emërimet janë miratuar në seancë plenare.




