Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të hënë takimin e rregullt me kabinetin qeveritar dhe Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, ku në qendër të diskutimeve ishte procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gjatë mbledhjes, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha dhe kryenegociatorja Majlinda Dhuka prezantuan ecurinë e negociatave si dhe detyrat që Shqipëria duhet të përmbushë në vijim të këtij procesi.
Sipas parashikimeve, synohet që deri në fund të vitit të mbyllen rreth 10 kapituj negociues, ndërsa ndër sfidat kryesore mbeten siguria ushqimore dhe çështjet e pronësisë.
Kryeministri Rama ka theksuar veçanërisht nevojën për rritjen e kontrollit mbi sigurinë ushqimore, duke kërkuar forcim të inspektimeve në të gjitha subjektet, në mënyrë që ato të përmbushin standardet e Bashkimit Evropian. Sipas tij, një numër i konsiderueshëm biznesesh duhet të përshtatet me rregullat evropiane, përndryshe rrezikojnë mbylljen pas anëtarësimit.
Në takim u raportua gjithashtu nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, lidhur me turin e takimeve në terren me qytetarët, si dhe me proceset zgjedhore brenda strukturave të partisë.
Ministri Hoxha foli për zhvillimet në diplomacinë shqiptare dhe negociatat me BE-në, ndërsa kryenegociatorja Dhuka prezantoi detyrimet konkrete që lidhen me procesin e integrimit.
Takimi pritet të përmbyllet me një fjalë të kryeministrit Rama, i cili do të japë edhe orientimet për hapat e ardhshëm në këtë proces.
Qeveria ndërkohë ka dorëzuar në Kuvend raportin e progresit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.




