Kosova dhe Zvicra kanë lansuar Programin e Bashkëpunimit për periudhën 2026–2029, duke riafirmuar partneritetin e gjatë mes dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme zvicerane për zhvillimin e Kosovës.
Në një ngjarje të mbajtur në Prishtinë, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, drejtoresha e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Patricia Danzi, si dhe kryeministri Albin Kurti, theksuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e ngushta ndërmjet dy shteteve.
Programi i ri synon të kalojë drejt një partneriteti më strategjik, me fokus në fuqizimin e institucioneve dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Sipas përfaqësuesve zviceranë, theksi nuk qëndron vetëm te financimi, por te ndikimi konkret në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Drejtoresha e SDC-së, Patricia Danzi, theksoi se programi është në përputhje me strategjitë zhvillimore të Kosovës dhe do të zbatohet në bashkëpunim me institucionet qendrore e lokale, sektorin privat dhe shoqërinë civile. Për katër vitet e ardhshme, mbështetja financiare e Zvicrës arrin rreth 64.5 milionë franga zvicerane (rreth 70 milionë euro).
Kryeministri Albin Kurti falënderoi Zvicrën për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar lidhjet e forta mes dy vendeve dhe rolin e diasporës kosovare në Zvicër. Ai shtoi se Zvicra mbetet një nga partnerët kryesorë të Kosovës dhe një investitor i rëndësishëm i huaj.
Programi fokusohet në tri fusha kryesore: qeverisjen demokratike dhe paqen, zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe tranzicionin e gjelbër, si dhe zhvillimin njerëzor të barabartë, ndërsa përfshin edhe bashkëpunimin në fushën e migrimit.




