Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se dështimi për zgjedhjen e presidentit do ta dërgonte vendin në zgjedhje të reja, të cilat sipas tij do të ishin të pestat brenda 16 muajve.
“Sot kemi mbërritur në fund të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës. Dështimi e dërgon vendin në zgjedhje të reja, që do të ishin të pestat me radhë prej 16 muajve. Pra, pothuajse çdo stinë të vitit do të kishim zgjedhje. Zgjedhjet e reja do të frenojnë punën e Qeverisë,” tha Kurti.
Ai shtoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk i është shmangur përgjegjësive qeverisëse në asnjë fazë.
“Akuzat se VV ikën nga përgjegjësia nuk janë të vërteta. Nuk ka pasur as në mars të vitit 2021, as në shkurt të këtij viti, asnjë vonesë, asnjë ngurrim dhe asnjë shmangie në marrjen e përgjegjësive për të qeverisur. Kjo është e matshme dhe e verifikueshme,” u shpreh ai.




