Lëvizja FOL ka shprehur shqetësim për mënyrën se si po zhvillohet procesi i zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, duke e cilësuar atë si rrezik për rendin kushtetues. Sipas saj, tentimi për të vazhduar procedurën pa praninë e së paku 80 deputetëve dhe në kushte të kontestuara përbën shkelje serioze të Kushtetutës dhe krijon precedent të rrezikshëm institucional.
FOL thekson se Presidenti është institucion i unitetit dhe nuk duhet të zgjidhet përmes kalkulimeve politike apo procedurave të paplota. Sipas saj, çdo shmangie nga Kushtetuta dobëson besimin në institucione dhe rrezikon stabilitetin shtetëror.
Në fund, Lëvizja FOL i bën thirrje Kuvendit që procesi të zhvillohet në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se vetëm një proces i rregullt mund të garantojë legjitimitetin e Presidentit.




