Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL e UÇK-së) ka shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke vlerësuar se ato mund të rrezikojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin demokratik.
Në reagim theksohet se funksionimi i rregullt dhe transparent i institucioneve është bazë e shtetit dhe se çdo veprim që tejkalon kompetencat apo cenon Kushtetutën duhet të trajtohet me përgjegjësi të lartë. Organizata i bën thirrje shumicës parlamentare për maturi dhe respektim të plotë të rendit kushtetues.
OVL e UÇK-së paralajmëron se veprimet e njëanshme mund të dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucione, ndërsa rithekson se do të vazhdojë të qëndrojë në mbrojtje të shtetit ligjor dhe rendit kushtetues të Kosovës.




