Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Ferizaj, pas një hetimi disa mujor, ka zbatuar një urdhëresë të gjykatës në koordinim me Prokurorinë kompetente dhe njësi tjera relevante policore.
Në kuadër të operacionit janë kryer kontrolle në tri lokacione të ndryshme në rajonin e Ferizajt, Gjilanit dhe Prishtinës, me qëllim sigurimin e provave dhe dëshmive.
Si rezultat i aksionit, janë arrestuar pesë të dyshuar meshkuj shtetas të Kosovës, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumente duke u paraqitur si pronarë të disa parcelave në një fshat të Ferizajt.
Sipas Policisë, njëri nga të dyshuarit dyshohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa katër të tjerët për veprat penale “falsifikim i dokumenteve”, “legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.
Gjatë kontrolleve janë siguruar disa prova materiale, përfshirë dokumente dhe fotografi, të cilat do të shërbejnë si dëshmi në rast.
Të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.




