Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka bërë të ditur se ka suspenduar dy zyrtarë policorë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në një rast të të shtënave me armë zyrtare në fshatin Mramor, në Komunën e Prishtinës.
Sipas IPK-së, rasti është raportuar më 27.04.2026 nga Policia e Kosovës. Dyshohet se personat e përfshirë, të cilët janë zyrtarë policorë, në momentin e ngjarjes nuk kanë qenë në detyrë zyrtare, ndërsa arma e përdorur dyshohet të jetë armë zyrtare e policisë.
IPK ka bërë të ditur se ka nisur veprimet hetimore fillestare ndaj dy policëve nga Stacioni Policor “Veriu” në Prishtinë, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë.
Ata dyshohen për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa Inspektorati ka rekomanduar suspendimin e tyre deri në përfundim të hetimeve.




