Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka bërë të ditur se, pas shpërndarjes së Kuvendit, ushtruesja e detyrës së Presidentit ka afat prej 10 ditësh për të caktuar datën e zgjedhjeve, pas konsultimeve me partitë politike dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e Kuvendit, por jo më herët se 30 ditë. Ai shton se afati 10-ditor për shpalljen e zgjedhjeve nuk ndikon në kufirin përfundimtar të mbajtjes së tyre.
Cakolli ka theksuar gjithashtu se shpërndarja e Kuvendit sjell pasoja institucionale, përfshirë kalimin e Qeverisë në detyrë me kompetenca të kufizuara, ndërprerjen e procedurave të projektligjeve në Kuvend dhe mbetjen pezull të raporteve të institucioneve të pavarura deri në konstituimin e legjislaturës së re.
Sipas tij, deri në formimin e institucioneve të reja, vendi do të kalojë një periudhë tranzicioni institucional.




