Xhamia e Ibrit, e ndërtuar në vitin 1777 dhe e djegur më 2 maj 1999, pritet të rindërtohet pas një marrëveshjeje të re bashkëpunimi.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja për hartimin dhe zbatimin e projektit të rekonstruktimit të kësaj xhamie me rëndësi historike dhe kulturore.
Në këtë proces kanë marrë pjesë edhe Myftiu Naim Tërnava, kryeimami Vedat Sahiti si dhe ministrja Saranda Bogujevci.
Sipas Kurtit, përmes këtij memorandumi Qeveria e Kosovës do të mbështesë rindërtimin e monumentit dhe ruajtjen e tij si pjesë e trashëgimisë kulturore.
Ai bëri të ditur gjithashtu se është nënshkruar edhe një tjetër memorandum bashkëpunimi me Bashkësinë Islame të Kosovës, që synon forcimin e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore islame në vend.
Kurti theksoi se këto angazhime janë pjesë e përkushtimit institucional për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, veçanërisht pas dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së viteve 1998–1999, duke paralajmëruar vazhdim të investimeve në këtë fushë edhe në vitet e ardhshme.




